Në bazë të Ligjit Nr.139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, Kreu IX “Përbërja, Krijimi, Mënyra e Organizimit, Kompetencat dhe Detyrat e Këshillit Bashkiak”, neni 54.
Detyrat dhe kompetencat e këshillit bashkiak

Këshilli bashkiak ka këto detyra dhe kompetenca:

a) zgjedh nga përbërja e vet komisionet e këshillit dhe miraton rregulloren e brendshme të funksionimit të vet;

b) zgjedh, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore, kryetarin dhe zëvendëskryetarët e këshillit dhe i shkarkon ata;

c) emëron dhe shkarkon sekretarin e këshillit bashkiak;

ç) miraton nivelin e pagave e të shpërblimeve të punonjësve e të personave të tjerë, të zgjedhur ose të emëruar, në përputhje me legjislacionin në fuqi;

d) miraton aktet e themelimit të ndërmarrjeve, shoqërive tregtare, si dhe të personave të tjerë juridikë që krijon vetë ose me të cilët është bashkëthemelues;

dh) miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij. Në vendimin për miratimin e buxhetit miraton, gjithashtu, edhe numrin e maksimal të punonjësve të bashkisë, si dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë;

e) miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve;

ë) organizon dhe mbikëqyr kontrollin e brendshëm të bashkisë;

f) vendos për taksat e tarifat vendore, sipas këtij ligji dhe legjislacionit tjetër në fuqi;

g) vendos për marrjen e kredive dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve;

gj) vendos për krijimin e institucioneve të përbashkëta me njësi të tjera të vetëqeverisjes vendore, përfshirë subjektin e kompetencave të përbashkëta ose me persona të tretë;

h) vendos për fillimin e procedurave gjyqësore për çështje të kompetencës së vet;

i) zgjedh përfaqësuesit e këshillit bashkiak në këshillin e qarkut, të cilët, në jo më pak se 50 për qind të tyre, duhet t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar;

j) vendos për dhënien ose deklarimin e mbarimit të mandatit të këshilltarit, kur ekzistojnë kushtet e parashikuara në nenin 49 të këtij ligji;

k) miraton norma, standarde e kritere për rregullimin dhe disiplinimin e funksioneve që i janë dhënë atij me ligj, si dhe për mbrojtjen e garantimin e interesit publik;

l) vendos për simbolet e bashkisë;

ll) vendos për emërtimin e rrugëve, shesheve, territoreve, institucioneve dhe objekteve në juridiksionin e bashkisë;

m) jep tituj nderi dhe stimuj;

n) vendos për rregullat, procedurat dhe mënyrat e realizimit të funksioneve të deleguara, në bazë dhe për zbatim të ligjit, me të cilin bëhet ky delegim te bashkia.